Prezantimin e Draftit e ka bërë z. Luan Nushi, drejtor i Institutit për Planifikim Hapësinor në Ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor
Sot në sallën e komiteteve të kuvendit, në objektin e administratës komunale, u bë prezantimi i Draftit të Planit Hapësinor për Parkun Nacional të malit “Sharr”. Prezantimin e Draftit e ka bërë z. Luan Nushi, drejtor i Institutit për Planifikim Hapësinor në Ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor ndërsa ka prezantua edhe z. Hamdia Beshkoviq, këshilltar i ministrit Mahir Jagxhillar.Heset Loku, nënkryetari i komunës, ka përshëndetur përfaqësuesit e Institutit për Planifikim Hapësinor për punën e bërë ndërkohë që ka përkrahë dhe mbështet këtë plan.
z. Luan Nushi njoftoi se që nga sot është filluar me prezantimin e Draftit në komunat, zonat e të cilave përfshihen në Parkun Nacional, në komunat e Kaçanikut, Shtërpcës, Suharekës, Prizrenit dhe Dragashit. Pas kësaj faze të prezantimit, Drafti do të hidhet në diskutim publik për 60 ditë në dy komunat, Shtërpcë dhe Prizren ndërkaq pastaj miratohet në Kuvendin e Kosovës.
Sipas z. Nushi, zona e Parkut Nacional përfshin një sipërfaqe prej 35 mijë ha ndërkaq rreth 8 % e kësaj sipërfaqe i takon komunës së Kaçanikut.
Parku Nacional i malit “Sharr” do të menaxhohet nga një organizëm (drejtori qendrore) që planifikohet të ketë selinë në Prizren ndërkaq do të ketë edhe 4 njësi në 4 komunat tjera të cilat do të jenë nën mbikëqyrjen e drejtorisë qendrore.
Sipas Draftit është planifikuar që në zona të caktuara do të ketë qendra turistike. Një qendër e tillë turistike është planifikuar që të jetë edhe në zonën e komunës së Kaçanikut.
Bekim Troni, drejtor i Drejtorisë Urbanizmit, Kadastrit e Mbrojtjes Mjedisit ka thënë se Plani Hapësinor i Parkut Nacional të malit “Sharr” do të harmonizohet me Planin Zhvillimor Komunal i cili është në fazën finale dhe pas miratimit të këtyre dy planeve, komuna do të bënë Planin Rregullativ për zonën turistike në komunën tonë.