Në Ditën Ndërkombëtare të librave për fëmijë, sot në SHFMU “Qamil Ilazi” u bë përurimi i tre librave të botuara nga katër nxënëse të kësaj shkolle, nën përkujdesjen e profesoreshave Vlora Rexha dhe Sadbere Neziraj.
Librat e promovuar janë: përmbledhja me tregime nga bashkautore Adea Ilazi dhe Rina Bruti, me titull “Libri që hapi dhjetë botë”, libri “Tregime me zemër” me autore Tringa Gjini, si dhe përmbledhja me poezi “Vargjet e mia për ty, atdhe” nga autorja Leina Baftijaj.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe drejtori për Arsim në Komunën e Kaçanikut, Gazmend Bunjaku, i cili i uroi dhe përgëzoi nxënëset për këto botime, duke i inkurajuar për krijime të reja. Ai theksoi se e ardhmja ndërtohet mbi themele të forta, të cilat po i forcojnë përmes krijimtarisë letrare.
Nxënëset i përgëzoi edhe drejtori i shkollës “Qamil Ilazi”, Bislim Krasniqi, i cili u shpreh se është nder dhe kënaqësi të organizohen aktivitete të tilla. Ai theksoi se botime nga nxënësit ka pasur edhe më herët dhe ndau disa detaje nga librat e rinj. Drejtori Krasniqi falënderoi nxënëset, mësimdhënësit dhe prindërit për përkrahjen e vazhdueshme ndaj fëmijëve.
Në këtë përurim morën pjesë edhe përfaqësues nga familja e Heroit Qamil Ilazi, ish-kryetari i Komunës Besim Ilazi, përfaqësues komunalë, si dhe një numër i madh prindërish dhe nxënësish të shkollës.
Me këtë rast, nxënëseve autore të librave iu ndanë mirënjohje nga drejtoria e shkollës për botimin e parë të librave të tyre.