Në një ceremoni solemne të mbajtur sot në Biçec, 50 grave dhe vajzave të këtij fshati u janë ndarë certifikatat e kryerjes së kursit të rrobaqepësisë.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të fondacionit CARITAS nga Luksemburgu, ata të Komunës së Kaçanikut dhe banorë të fshatit Biçec. Certifikatat kursisteve ua ka ndarë Ismet I. Bunjaku. Këshilli i Zhvillimit të Komunitetit të fshatit Biçec ka nderuar me mirënjohje CARITAS-in e Luksemburgut i cili ka dhuruar 6280 euro për këtë kurs, KK të Kaçanikut i cili ka ndihmuar me 3.300 euro dhe trajnuesen Shqipe Dullovin e cila në mënyrë vullnetare i ka aftësuar 50 gra e vajza për zanatin rrobaqepës.
Anëtaret e kursit i kanë bërë një befasi CARITAS-it të cilit ia kanë dhuruar një pikturë, ndërsa mësueses së saj Shqipe Dullovit një buqetë lulesh për 8 mars. Kursistet kanë treguar edhe frytet e aftësimit të tyre në këtë kurs, duke punuar 15 komplete gardërobë për Korin e Shkollës së fshatit Biçec. Këtë ceremoni e kanë përshëndetur Rifat Krasniqi, koordinator i CARITAS-it dhe Misim Sopa nga KK i Kaçanikut. Në emër të KZHK-së Biçec, Kjani Sallahu, koordinator, i ka falënderuar donatorët për financimin e këtij projekti, ndërsa atyre që u pajisën me certifikata u ka uruar sukses.
KZHK i ka ndarë një makinë të rrobaqepësisë familjes së të ndjerës Fatmire Horuni, e cila u nda nga jeta javën e kaluar. Kursi i rrobaqepësisë në Biçec ka filluar më 7 shtator 2009 dhe ka përfunduar më 7 mars 2010.