Ushtruesi i detyrës së komandantit të Stacionit të policisë në Kaçanik, z. Jaser Jaha ka raportuar për periudhën një mujore
Sot, në sallën e mbledhjeve, në objektin e administratës komunale është mbajtur takimi i tretë për vitin 2010 i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për komunën e Kaçanikut të cilin e ka udhëhequr nënkryetari i komunës z. Heset Loku.Në takim u shqyrtua Gjendja e sigurisë në komunë tonë për periudhën e kaluar një mujore dhe çështje tjera të ndryshme që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve. Ushtruesi i detyrës së komandantit të Stacionit të policisë në Kaçanik, z. Jaser Jaha tha se gjendja e sigurisë është e mirë dhe nën kontroll. Z. Jaha për periudhën një mujore ka veçuar dy raste, njëri në Kotlinë e tjetri në Begracë ku të dyja rastet kanë të bëjnë me gjetje dhe konfiskim të armeve. Në Kotlinë është arrestuar një person lidhur me këtë rast ndërkaq në Begracë janë arrestuar 7 persona. Z. Jaha ka njoftua edhe për protestën e punëtorëve të terminalit në Han të Elezit, ndërkaq tha se protesta po ndodh edhe aktualisht dhe se janë bllokuar hyrje daljet e kamionëve në terminal.
Shemsedin Abazi kërkoi sqarim lidhur me rastin e dy të miturave që para një kohe ishin helmuar me substanca helmuese në një kafiteri ndërkaq z. Jaha tha se ende nuk i dimë arsyet dhe motivin e kësaj vepre.
Heset Loku, nënkryetar i komunës ka njoftua anëtarët e KKSB se çështja e cila qe ngrit nga zyrtarë të policisë kufitare në Glloboçicë për heqjen e një kioske në afërsi të pikës kufitare, ai tha se pronarit të kioskat iu është përcjell Vendimi për largimin e saj nga aty. Z. Loku, po ashtu njoftoi se është debatuar edhe në takimin e fundit të Kuvendit të Komunës, lidhur me shqetësimet e prezantuar në takimin e fundit për rrezikun që paraqet shembja e dheut në rrugën e Lagjes së Re, por ai tha se komuna nuk posedon fonde për intervenime emergjente siç do të duhej në këtë rast.
Ekrem Dauti ri përsëriti kërkesën për intervenim në këtë rrugë sepse aty është rreziku për dëmtimin e rrjetit të kanalizimit si dhe rreziku nga rryma elektrike.
Kjani Sallahu, tha se shqetësuese është lëvizja e motoristëve më shpejtësi të madhe. Ai tha se kohëve të fundit ka lëvizje të shpeshta të motoristëve, edhe në grupe, që rrezikojnë komunikacionin. Z. Sallahu përmendi si shqetësim edhe dhunën që po ushtrohet ndaj nxënësve ndërkaq ka sugjeruar përgjegjësit e arsimit që në shkollat e mesme të bartet uniforma shkollore.
Heset Loku, duke u ndërlidh me dhunën në shkolla ai tha se ndaj arsimtarit që ka përdor dhunë në shkollën fillore të Stagovës është marrë masa e suspendimit dhe masa tjera disiplinore.
Lidhur me shqetësimin e ngritur për tejkalim shpejtësie dhe rrezikun në trafik, z. Jaha tha se ne si polici do të marrim masa por me këtë rast ai kërkoi edhe bashkëpunim nga qytetarët.