Kryetari i komunës, z. Zharku kërkoi që ti bëhet edhe një kërkesë ministrit të Shëndetësisë, z. Bukoshi për transferimin e të sëmurëve me hemodializë, përkatësisht trajtimin e tyre në qendrën mjekësore në Ferizaj
Ekzekutivi i komunës, sot mbajti takimin e rregullt të fillim javës të cilin e ka udhëheq kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku. Në fillim të takimit, drejtorët e drejtorive kanë prezantuar planin javor të punës për periudhën 05 maj deri më 07 maj ndërkohë që kanë raportuar edhe aktivitete të cilat janë kryer gjatë javës së kaluar.Udhëheqësi i personelit, z. Fadil Guri ka thënë se vijimi dhe disiplina gjatë javës së kaluar ka qenë në nivelin e kënaqshëm, ndërsa Shefi i Prokurimit, z. Zeqi Selmani ka njoftuar për projektet të cilat janë në fazën e tenderimit. Në këtë fazë janë projektet: Renovimi i disa shkollave në komunën e Kaçanikut, Asfaltimi i rrugës në fshatin Elezaj, Rregullimi i rrymës së tensionit të lartë në rrugën “Ismajl Raka”, Ndërtimi i ujësjellësit në fshatin Gllobiçicë dhe Ndërtimi i kanalizimit në lagjen Imisht. Shefi i prokurimit ka njoftuar edhe për datat kur hapen ofertat e ofertuesve.
Fikri Vërbani, drejtor i Ekonomisë njoftoi se javën e kaluar është bërë auditimi zyrtar për vitin 2009 ndërkohë që ky proces pritet të përfundoj sot. Drejtori, z. Vërbani tha se Qarkorja e Brendshme Buxhetore e cila rregullon çështjet e ekzekutimit të mjeteve buxhetore është në fazën finale. Poashtu drejtori potencoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me drejtorët e drejtorive për realizimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të rishikimit 6 mujor të buxhetit 2010, me kusht që ky draft të përgatitet për shqyrtim dhe miratim në takimet vijuese në KPF dhe të Kuvendit të Komunës. Faturat e tatimit në pronë të cilat është dashtë të shpërndahen deri më 31 mars, janë vonua për shkak se posta ende nuk e ka berë shpërndarjen e tyre, ndërsa ka thënë se inspektori i tregut gjatë javës së kaluar ka verifikuar dokumentacionin e disa veprimtarive me theks të veçantë të bastoreve sportive.
Kryetari, z. Zharku me këtë rast tha se bastoret sportive zhvillojnë edhe veprimtari tjera, prandaj sa më parë duhet verifikuar ligjshmëria e veprimtarive të tyre.
Bekim Troni, drejtor i Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Ambientit ka njoftuar për vizitat në teren që iu janë bërë vendpunishteve në rrugën e fshatit Kotlinë dhe në rrugën në Kaçanik të Vjetër. Drejtori tha se që nga sot do të fillohet edhe me shtrirjen e shtresës së asfaltit.
Jeton Topalli, drejtor i Administratës së Përgjithshme ka thënë se është shtuar numri i kërkesave për certifikata dhe se vetëm gjatë javës së kaluar kanë qenë afër 700 kërkesa ndërsa ka thënë se po presim vulat dhe nënshkrimet për ofiqarët e zyrave të vendit në teren për fillimin e lëshuarës së dokumenteve në këto zyre.
Nuhi Provoliu, drejtori i Bujqësisë prezantoi çështjen e ndotjes së lumit Lepenc nga fabrika Silcapor si dhe ankesat e banorëve të fshatrave Dubravë, Doganaj e Sopobicë drejtuar kësaj ndërmarrje.
Kryetari tha se duhet vepruar në këtë drejtim dhe ka porosit drejtorin e bujqësisë që menjëherë të kontaktoj prijësit e kësaj ndërmarrje.
Misim Sopa, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka prezantuar Raportin nga skema e ndihmës sociale, ai tha se vetëm gjatë muajit prill janë hequr me arsye 13 përfitues. Drejtori njoftoi se spitali i Gjilanit ka rikthye orarin e mëhershëm për trajtim të personave të sëmurë nga hemodializa, ndërsa kryetari z. Zharku kërkoi që ti bëhet edhe një kërkesë ministrit të Shëndetësisë, z. Bukoshi për transferimin e të sëmurëve me hemodializë, përkatësisht trajtimin e tyre në qendrën mjekësore në Ferizaj.
Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Rushan Ceka njoftoi për disa nga aktivitetet e këtij shërbimi ndërkohë që tha shërbimi i emergjencës ka pasur 5 raste të intervenimit.