Kryetari i komunës, z. Zharku kërkoi që nga nesër, katër inspektorët komunal të fillojnë me verifikimin e gjendjes faktike të bizneseve të vogla dhe të mesme në territorin e komunës sonë
Ekzekutivi i komunës, sot mbajti takimin e rregullt të fillim javës të cilin e ka udhëheq kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku.Si çdo fillim javë, edhe kësaj here, drejtorët e drejtorive kanë prezantuar planin javor të punës për periudhën 11 maj deri më 14 maj ndërkohë që kanë raportuar edhe disa nga aktivitete të cilat janë kryer gjatë javës së kaluar.
Fillimisht kryetari, z. Zharku kërkoi që të bëhet identifikimi i të gjitha pronave komunale si dhe në afat sa më të shkurtër të bëhen të gjitha pagesat e mbetura nga viti i kaluar. Pagesa për të gjitha faturat është dashtë të kryhet deri më 31 mars 2010 por me që ka ende të tilla, kërkoi që pagesa të bëhet në afat sa më të shkurtër, ka thënë kryetari, z. Zharku.
Kryetari i komunës, z. Zharku, kërkoi që nga nesër, katër inspektorët komunal, Bujar Dullovi, inspektori i Ambientit, Arben Fera, inspektor i tregut, Skender Sopa, inspektor i shërbimeve publike, dhe Besnik Bajra, inspektor sanitar të fillojnë me verifikimin e gjendjes faktike të bizneseve të vogla dhe të mesme në territorin e komunës sonë, duke përfshi kushtet e punës dhe dokumentacioneve.
Kryetari, z. Zharku Duke folur për tenderët, ka kërkua që të respektohen me përpikëri të gjitha procedurat ligjore e sidomos tu shmangemi numrit të madh të tenderëve që kanë të bëjnë me vlera minimale por ato të fuzionohen duke u bazuar edhe në një planifikim të mirë.
Lidhur me Rregulloren mbi ngarkesat dhe tarifat, të propozuar nga Drejtoria për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, kryetari tha se deri të premten kjo Rregullore duhet të jetë e gatshme, kështu që drejtorët gjatë kësaj kohe do të bëjnë plotësimet e nevojshme. Kryetari, z. Zharku në takimin e kaluar pati kërkuar që sa më parë të verifikohet ligjshmëria e veprimtarive të bastoreve sportive, ndërkaq në takimin e sotëm kërkoi që inspektori i tregut të bëjë një raport për mbylljen e këtyre lokaleve që posedojnë aparate të jashtëligjshme.
Drejtori i arsimit, z. Azem Guri, ka përmend disa nga aktivitetet e javës së kaluar si aktivitetet për shënimin e 9 Majit- Ditës së Evropës, mbajtjen e Testit për nxënësit e klasave të IX, dhe përgatitjet e SHKA “Shqiponja” për pjesëmarrje në Festivalin e Turqisë.
Fikri Vërbani, drejtor i Ekonomisë kërkoi bashkëpunim nga drejtorët e drejtorive për realizimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të rishikimit 6 mujor të buxhetit 2010, pasi që drafti duhet përgatitur për shqyrtim dhe miratim në takimet e radhë së KPF dhe të Kuvendit të Komunës.
Misim Sopa, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies sociale ka njoftua se kjo drejtori ka aplikuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale me katër projekte.
Rushan Ceka, drejtor i shërbimeve publike ka njoftuar për formimin e Bordit të Drejtorëve për NKP “Lypeteni”.
Nuhi Provoliu, drejtor i bujqësisë njoftoi për një takim të mbajtur me përfaqësues të fabrikës “Silcapor” lidhur me ndotjen e ujit që shkaktohet nga kjo fabrikë. Me që në takim nuk kishte prezantuar drejtori i fabrikës, kryetari, z. Zharku ka kërkua që të takohet drejtpërdrejt drejtori i kësaj fabrike. Drejtori, z. Provoliu ka njoftua edhe me disa aktivitete tjera si verifikimin e kafshëve të imta, ndërkohë që tha se është punuar edhe gjatë vikendit në verifikimin e lopëve qumështore. Verifikimi është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë me qëllim të subvencionimit të fermerëve.
Bekim Troni, drejtor i Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Ambientit ka njoftuar për vizitat në teren që iu janë bërë vend punishteve në rrugën e fshatit Kotlinë, dhe rrugën në Kaçanik të Vjetër si dhe për një Urdhëresë e cila i obligon të gjitha bizneset e komunës që në afat deri më 21.05.2010 të lidhin Kontratë me kompaninë e mbeturinave “Pastërtinë” si dhe të fillohet me pagesën për heqjen e mbeturinave.
Jeton Topalli, drejtori i administratës ka thënë se sektori i arkivit do të pranojë lëndët për arkivim por me këtë rast duhet bërë një procesverbal lidhur me pranim dorëzimin e lëndëve.