Në sallën e komiteteve të kuvendit, në objektin e administratës komunale, sot është mbajt mbledhja e parë për vitin 2010 e Komitetit për Politikë e Financa, të cilën e ka udhëheq z. Xhelal Gashi, kryesues i kuvendit.
Në takim u shqyrtua Propozim-Vendimi për bartjen e bilanceve të pashpenzuara nga të hyrat vetjake komunale të viteve 2008 dhe 2009 në vitin vijues buxhetor 2010;
Njoftimi me buxhetin e komunës së Kaçanikut për vitin 2010 dhe vlerësimet për vitet 2011 – 2012; Njoftimi me Raportin për realizimin e mjeteve buxhetore për periudhën janar – dhjetor 2009 dhe Propozim-Vendimet për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore.
Lidhur me Propozim – Vendimin për bartjen e bilanceve të pashpenzuara nga të hyrat vetjake të vitit 2009 në vitin 2010, z. Fikri Vërbani, drejtor i Drejtorisë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim ka thënë se shuma e mjeteve të pashpenzuara prej 118,838.72 € do të barten në vitin 2010 dhe do të shpenzohen, përkatësisht do të rishpërndahen në 8 programet buxhetore; në Zyrën e kryetarit, Administratë, Buxhet dhe Financa, Shërbime Publike, Bujqësia, Zhvillim Rural dhe Pylltari, Urbanizmi, Kadastri dhe Mbrojtja e Mjedisit, Shëndetësia Primare dhe Arsimi e Kultura.
Për paga dhe mëditje janë rishpërndarë 26,573.80 euro, për mallra dhe shërbime 33,129.85 euro për shërbime komunale 11,378.12 euro, për subvencione 21,157.60 euro dhe për investime kapitale 26,599.35 euro. Propozim – Vendimi për bartjen e bilanceve të pashpenzuara të viteve 2008 dhe 2009 në vitin 2010 iu përcoll Kuvendit për miratim sikurse edhe Buxheti i komunës për vitin 2010 dhe vlerësimet për vitet 2011 dhe 2012 dhe Raporti për realizimin e mjeteve buxhetore për periudhën janar – dhjetor 2009. KPF ka miratuar dy kërkesat për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore.
