Kryetari i komunës, z. XHabirë Zharku sot në zyrën e tij priti një delegacion të Forcës së Sigurisë së Kosovës të përfaqësuar nga z. Enver Cikaqi, komandant i KDF dhe z. Shemsi Syla, shef i Njësisë Ndërlidhëse për Reagim në Kriza.
Komandanti i KDF, z. Cikaqi duke folur për rrugën e transformimit të TMK-së në FSK tha se shumë struktura të ish TMK-së mbetën pa u sistemuar në FSK por kjo situatë u menaxhua mjaft mirë dhe tani brenda FSK-së është një bërthamë e mirë, e formësuar dhe rekrutuar. Ndërkaq duke folur për freskimin me anëtarë të rinj, z. Cikaqi tha se deri më tani kanë aplikuar mbi 3200 regrut të rinj ndërsa deri në fund pritet që ky numër të arrij deri në 4500 regrut për 400 vende e kjo na mundëson që të bëjmë një përzgjedhje sa më kualitative.
Kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku, përgëzoi pjesëtarët e FSK-së për misionin e tyre ndërkaq tha se FSK është e ardhmja e Kosovës, është ushtri e Kosovës. Z. Zharku shtoi se regrutët duhet të jenë vajza dhe djem të rinj të cilët din të çmojnë vlerat e lirisë dhe të jenë të përkushtuar për arritjen e nivelit për të synuar inkuadrimin në forcat e NATO-së.
z. Shemsi Syla , shef i Njësisë Ndërlidhëse për Reagim në Kriza u shpreh se mision i kësaj Njësie është krijimi i një mekanizmi komunikimi me komunat me qëllim të njohjes dhe identifikimit me të gjitha situatat e krizave dhe rreziqeve të mundshme. Njësia Ndërlidhëse për Reagim në Kriza fushë veprimtari të saj ka sigurinë prandaj edhe do të bashkëpunohet ngushtë me Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi duke prezantuar çdo herë një përfaqësues i kësaj njësie në takimet e rregullta të Këshillit.
Z. Syla u shpreh se Njësia Ndërlidhëse për Reagim në Kriza është e gatshme që të intervenoj përmes forcës tokësore në situata të ndryshme eventuale.
