Diskutohen çështje dhe sfida me të cilat përballen shkollat e komunës sonë
Në takimin e organizuar nga Drejtoria e Arsimit me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të komunës sonë, ku prezantoi edhe kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku u diskutuan shumë probleme dhe sfida që po e përcjellin procesin edukativ arsimor në komunën tonë. Kryetari i komunës, z. Zharku, fillimisht u ka thënë drejtorëve të shkollave se në në Kuvendin e Komunës shqyrtuam Raportin e Punës për vitin 2009. Në kuvend, në segmentin e arsimit u dhanë shumë vërejtje të pabazuara dhe të pa argumentuara. Por si do që të jetë në fushën e arsimit ka vend për përmirësime. Drejtorët u sugjeruan që të marrin masa ndaj arsimtarëve të cilët krijojnë mungesa në punë, si dhe të kihet një kujdes më i madh ndaj pastërtisë në objektet shkollore.
Kryetari u shpreh se parimore ne arsim është edhe veshja e nxënësve e arsimtarëve, ndërkaq pati vërejtje në veshjen e gjinisë femërore.
Drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale, z. Bafti Loku përmendi bashkëpunimin jo të mirë me prind përkatësisht mos interesimin e prindërve ndërsa drejtori i Gjimnazit “Skënderbeu” z. Ibush Vishi, insistoi në idenë e tij se duhet të zbatohet mekanizmi i masave ndëshkuese ndaj nxënësve të padisiplinuar sepse ata me veprimet e tyre po ndikojnë negativisht tek pjesa më e madhe e nxënësve që janë të mirë e të interesuar për edukim e arsimim.
Drejtori i Drejtorisë për Arsim, z. Azem Guri ka njoftuar drejtorët e shkollave me disa aktivitete si, për mbajtjen e festivalit të këngës popullore për fëmijë që do të mbahet më 7,8 dhe 9 prill, organizimin e ligjëratave në dy shkollat e mesme për vetëdijesimin e nxënësve me pasojat që shkaktojnë përdorimi i duhanit, alkoolit dhe mjeteve tjera narkotike, organizimin e garave komunale të nxënësve të klasave të VI – VIII, ndërsa kërkoi mobilizim nga Komisionet e formuara për organizimin dhe mbajtjen e Testit për klasat e V (pesta), Testit Kombëtar për klasat e IX (nënta), Provimit shtetëror të maturës etj.