Nën përkujdesen e kryetarit të komunës, z. Xhabir Zharku, sot në Kaçanik është kremtua përvjetori i dytë i Pavarësisë së Kosovës. Festa e Ditës së Pavarësisë ka filluar që në orët e paradites, ndërkaq fillimisht fëmijët kanë defiluar rrugëve të qytetit duke mbajtur në duar flamuj kombëtar e shtetëror. Më pas në Shtëpinë e Kulturës “Xheladin Kurtaj” është shfaq një program për fëmijë.
Në mesditë, për nderë të Ditës së Pavarësisë janë zhvilluar aktivitet sportive.

Ekipet fituese u nderuan me Kupën e Pavarësisë së Kosovës. Kupën ekipit “Malisheva” nga Malisheva ia dhuroi nënkryetari i komunës, Heset Loku ndërsa ekipit të meshkujve, “Tropikal – L 68” nga Kaçaniku ia dhuroi kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku.
Kryetari, z. Zharku duke uruar Festën e Pavarësisë tha se falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjakut të derdhur, ne sot po festojmë Pavarësinë e vendit.

Në vazhdën e aktiviteteve, në holin e Shtëpisë së Kulturës, ishte hapur ekspozita me imazhe të Ditës së Pavarësisë ku qytetarët patën rastin të shohin foto të Ditës së Shpalljes së Pavarësisë dhe të tjera nga kremtimi i njëvjetorit të Pavarësisë.
Në kuadër të kremtimit të Ditës së Pavarësisë, në orën 16:00, në Shtëpinë e Kulturës “Xheladin Kurtaj” u mbajt një akademi solemne. Kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku me këtë rast prezantoi një fjalë rasti. Ai mes tjerash tha se për të ardhur deri te Pavarësia e Kosovës u deshtë mund e sakrificë, u deshtë që të flijohej që nga Lidhja e Prizrenit e vitit 1978 e deri më sot. Kryetari, z. Zharku më pas tha se populli shqiptarë ka vuajtur nëpër histori nga barbarë dhe okupatorë të ndryshëm, me të vetmin qëllim, që të zhdukin popullin tonë nga këto troje, Mirëpo, shqiptarët asnjëherë nuk u gjunjëzuan dhe luftuan vazhdimisht për të arritur të drejtat dhe lirinë.
Në akademi morën pjesë edhe Muharrem Dovolani themelues i fondit të UÇK-së në SHBA dhe Uran Rexhepi komandant i Batalionit “Atlantiku”.
Aktivitetet festive janë përmbyll me një Mega Koncert të shfaqur nga Ansambli i këngëve dhe valleve “Shota”.
Qytetarëve të shumtë të mbledhur në hapësirën pranë Shtëpisë së Kulturës me një fjalë rasti iu ka drejtuar kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku. Kryetari, z. Zharku tha se ishte një rrugë e gjatë që të arrijmë deri te liria dhe Pavarësia e Kosovës, e kjo është pavarësia e Kosovës Shqipëri. Nesër, sigurisht do të jetë një pavarësi një Shqipëri e cila do të synon shkuarjen drejt Evropës. Kryetari, z. Zharku më tej tha se lufta e UÇK-së ishte një kurorëzim i të gjitha përpjekjeve nëpër breza që luftuan për lirinë dhe pavarësinë kombëtare.
Ndërkaq Ansambli i këngëve dhe valleve “Shota”, në vazhdim u prezantua me një program të pasur me këngë e valle. Emocione të veçanta sollën këngëtarët Violetë Kukaj, Ismet Bogujevci, Lulzim Krasniqi etj. 

