Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi pas situatës së krijuar nga arrestimet e fundit, ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal për Siguri në Kaçanik.
Nga ky takim Komandanti i Stacionit të Policisë në Kaçanik Halim Shehu bëri të ditur se fillimisht janë etiketuar persona që nuk kanë pasur ndërlidhje me rastin, duke kërkuar që debateve dhe rrjeteve publike si dhe personave të paautorizuar të mos u jepet hapësirë diskutimi. Ai tha se situata në Kaçanik vazhdon të jetë e qetë si dhe qytetarët të mos ndihen në panik nga situata e fundit.
Nga ana tjetër Kryetari i Komunës Besim Ilazi tha se ndanë shqetësimin e tij në lidhje me arrestimet e fundit në Kaçanik, që ndërlidhen me vrasjen e Rreshterit Muhamed Lika, duke shtuar se me vrasjen e tij u vra edhe siguria në vend, sepse ishte në mbrojtje të sigurisë, të cilin e kishim më parë bashkëluftëtarë duke triumfuar në luftë por që më pas u vra në paqe. Ai kërkoi që sa më shpejtë kryesit e kësaj vepre të dalin para drejtësisë, duke shtuar se rastet të parandalohen e jo te veprohet vetëm kur ndodhin ato.
Kryetari Ilazi tha se është për keqardhje që grupe të tilla të rinisë po veprojnë, e që Kaçaniku po etiketohet padrejtësisht, por që asnjëherë nuk mund të ja zbehin imazhin vendit tonë.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik Fidaim Fazliu, e vlerësoi mbajtjen e këtij takimi si të domosdoshëm, duke shtuar se qytetarëve të komunës sonë padrejtësisht po i përsëritet edhe një lajm jo i mirë, duke kërkuar që në raste të tilla të kursehen qytetarët e ndershëm të komunës sonë.
Kryetari i KBI-së në Kaçanik tha se edhe ne si institucion kemi pasur kërcënime dhe pengesa nga ky grup, të gjitha shqetësimet tona i kemi paraqitur tash e sa kohë tek Policia e Kosovës, sepse as feja e as tradita jonë kombëtare nuk ka të bëjë fare me vepra të tilla, duke shtuar se na gëzon fakti që shteti ka lëvizur dhe situata po vendoset nën kontroll, por tha se ne kërkojmë që të veprohet më herët e jo të pritet të ndodh një rast, për të vepruar, duke shpresuar që rasti të trajtohet deri në fund e të mos kursehet askush që mund të jetë i involvuar.
Në takim prezantuan edhe përfaqësues nga niveli qendror, Ministria e Punëve të Brendshme si dhe Inspektorati policor si dhe Nënkryetari Komunës së Kaçanikut Sabedin Vishi.
Nga ky takim u bë e ditur që situata e sigurisë në komunë vazhdon të jetë e qetë, qytetarët të mos ndjehen të frikësuar, ndërsa u rekomandua që qytetarët dhe institucionet të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës për çdo gjë që ata mund t’i shqetësoj si dhe të investohet më shumë në edukimin nëpër shkolla përmes institucioneve të sigurisë.