Kryetari i komunës, z. Zharku tha se Rregullorja aktuale daton nga fundi i vitit 2007, prandaj ka qenë e domosdoshme hartimi i draftit të ri, me plotësime dhe ndryshime të reja
Ekzekutivi i komunës, sot mbajti takimin e rregullt të fund javës të cilin e ka udhëheq kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku, ne të cilin shqyrtoi një varg çështjesh ndërkaq me theks të veçantë iu qas shqyrtimit të Propozim-Rregullores mbi tarifat dhe ngarkesatadministrative dhe shërbimet tjera.
Kryetari, z. Zharku fillimisht kërkoi nga drejtorët një mobilizim edhe më të shtuar në punë si dhe rregull e disiplinë, ndërkaq si zakonisht drejtorët e drejtorive kanë prezantuar në formë të shkruar aktivitetet javore të javës që po e lëmë pas.
Lidhur me Rregulloren mbi tarifat dhe ngarkesat, kryetari i komunës, z. Zharku tha se Rregullorja aktuale daton nga fundi i vitit 2007, prandaj ka qenë e domosdoshme hartimi i draftit të ri me plotësime dhe ndryshime të reja ndërsa drejtorët ofruan propozimet për ndryshime konkrete duke shoshitur çdo pozicion veç e veç. Me këtë rast kryetari, z. Zharku potencoi se duhet të kihet kujdes të bizneset që të mos ngulfaten me tarifa të larta, ndërkaq drejtori i ekonomisë, z. Fikri Vërbani tha se gjithsesi duhet pasur parasysh mos ngulfatjen e bizneseve dhe shtytja e zhvillimit të tyre, si shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik të komunës, por, në anën tjetër ne si komunë duhet të kemi të hyra dhe potencial buxhetor për plotësimin e kërkesave investive dhe rritjen e standardeve dhe mirëqenies së qytetarëve.
Drejtori i Administratës, Jeton Topalli gjatë shpalosjes theksoi se nuk do të ketë ndryshime të mëdha te shërbimet administrative, respektivisht te taksat përveç tri – katër ndërhyrjeve, ndërkaq Bekim Troni, drejtor i urbanizmit theksoi se tarifat e kësaj drejtorie jan ëtë përcaktuara nga Agjencioni Kadastral i Kosovës.
Drafti i Propozim – Rregullores mbi tarifat dhe ngarkesat do të procedohet për shqyrtim dhe miratim në parim në organet e Kuvendit dhe pas kësaj do të lëshohet në diskutim publik në mënyrë që qytetarët të kenë mundësin për sugjerime dhe plotësime.