Nën udhëheqjen e Kryetarit të Komunës Besim Ilazi dhe Nënkryetarit Sabedin Vishi, është mbajtur mbledhja e ekzekutivit komunal, ku u raportua për realizimin e projekteve dhe aktiviteteve për javën që lam pas, si dhe planifikimet për javën që sapo kemi nisur.
Në takim u bë e ditur nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Urbanizmit se në zonën urbane do të investohet në dhjetëra projekte kapitale për vitin 2023. Drejtori Ramadush Osmani tha se punimet janë duke vazhduar në ndërtimin e sheshit të qytetit ( faza e dytë), në rehabilitimin e dy shetitoreve ( Faza e dytë), rregullimi i rrugës “ Idriz Seferi”e poashtu investime do të bëhen edhe në kuadër të projektit për rregullimin e ndriçimit publik, të rrjetit të kanalizimit, të rrjetit të ujësjellësit si dhe të rregullimit të hapësirave publike. Ndërkohë Drejtori Qamil Stagova njoftoi se tashmë kanë filluar punimet në ndërtimin e nënkalimit për këmbësor, kurse së shpejti pritet të fillojnë punimet në ndërtimin e qarshisë së qytetit, rregullimi i urës mbi lumin Nerodime, si dhe do të bëhet edhe rregullimi i disa rrugëve lokale. Projektet do të realizohen nga buxheti komunal, ndërsa projekti i rregullimit të rrugës “ Idriz Seferi” është në bashkëfinancim me nivelin qendror. Gjatë këtij takimi poashtu u diskutuan edhe planifikimet tjera javore që parashihen të realizohen gjatë javës.