Në një konferencë shtypi të mbajtur, të marten pasdite në zyrën e kryetarit të komunës, z. Xhabir Zharku, fondacioni qeveritar CARITAS nga Luksemburgu ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të ndihmojë me donacione komunitetet e fshatrave Biçec dhe Kaçanik i Vjetër.

Koordinatori i CARITAS-it, z. Rifat Krasniqi ka thënë se edhe për vitin 2010 kjo organizatë do të investojë 90 mijë euro në fshatrat e sipërpërmendur, përkatësisht nga 45 mijë euro në secilin prej tyre. Këto mjete parashihen të përfshijnë 4 sektorë: infrastrukturë, ambient, socio-ekonomike dhe në sektorin e rinisë. Për infrastrukturë janë paraparë nga 20 mijë euro, për sektorin social-ekonomik nga 10 mijë euro, për rini dhe fëmijë nga 10 mijë euro, ndërsa për sektorin e ambientit nga 5 mijë euro për secilin nga këto dy lokalitete, ka theksuar koordinatori z.Krasniqi. Ai ka thënë se komunitetet e këtyre dy fshatrave duhet të participojnë me së paku nga 11 mijë euro për realizimin e projekteve, të cilat do t’i përzgjedhin vetë Këshillat e Zhvillimit të Komuniteteve të këtyre dy fshatrave.
Kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku ka thënë se Komuna do të mbështesë financiarisht projektet që do të realizohen sivjet. Ne kemi obligim ndaj banorëve të komunës sonë, por Caritas-i me donacionet e veta si dhe angazhimi i komunitetit të këtyre dy fshatrave, neve po na nxisin që t’i përkrahim me mjetet buxhetore komunale, ka thënë kryetari Zharku. Kryetari, z. Zharku, me këtë rast nëpërmjet përfaqësuesve të CARITAS-it ka falënderuar Qeverinë e Luksemburgut për ndihmën që po i bën Kosovës, e edhe Kaçanikut.
Koordinatori i KZHK të fshatit Biçec, Kjani Sallahu ka potencuar se me mjetet që do t’i ketë në dispozicion komuniteti i këtij lokaliteti është përcaktuar për realizimin e projektit të zgjerimit dhe asfaltimit të rrugës kryesore të këtij fshati, ndërtimin e një minipalestre për zhvillimin e aktiviteteve kulturore-sportive dhe atyre me karakter pune, ndërtimin e një muri ambiental te shkolla e fshatit, etj. Ndërkaq koordinatori i KZhK të fshatit Kaçanik i Vjetër ka përmend projektet e realizuara vitin e kaluar ndërkohë që tha se për këtë vit ende jemi në fazën e identifikimit të projekteve.
Fshatrat e sipërpërmendur edhe vitin e kaluar kanë përfituar nga 45 mijë euro donacion nga CARITAS-i i Luksemburgut.