Komuna e Kaçanikut njofton të gjithë qytetarët që përfitojnë subvencione/ mbështetje financiare nga Komuna, përfshirë nenat lehona (sipas Vendimit për ndarjen e mjeteve financiare), si dhe të gjithë përfituesit e tjerë, se Thesari i Republikës së Kosovës ka funksionalizuar shërbimin digjital për regjistrimin e përfituesve, përmes platformës shtetërore e-Kosova.
Në këtë drejtim, përfituesit janë të obliguar të regjistrohen si përfitues në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës (SIMFK), shërbim i cili ofrohet në platformën e-Kosova, nën ikonën e Thesarit.
Ky regjistrim është i detyrueshëm për të gjithë përfituesit, pa përjashtim, të cilët realizojnë pagesa përmes Thesarit të Republikës së Kosovës, përfshirë pagesat e subvencioneve dhe transfereve nga Komuna e Kaçanikut.
Ju informojmë se Thesari i Republikës së Kosovës nuk procedon më regjistrimet e përfituesve në formë manuale. Për rrjedhojë, të gjithë përfituesit duhet të regjistrohen dhe të aprovohen ekskluzivisht përmes platformës e-Kosova.
Përfituesit duhet të kenë parasysh sa vijon:
Regjistrimin si përfitues në SIMFK duhet ta kryejnë vetë, përmes platformës e-Kosova, duke shfrytëzuar shërbimin: “Regjistrohu si përfitues në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës (SIMFK)”.
Regjistrimi në formë manuale nuk është më i mundur dhe nuk do të procedohet nga Thesari i Republikës së Kosovës.
Pagesa e subvencionit/mbështetjes financiare nuk mund të ekzekutohet, edhe në rastet kur kërkesa është e aprovuar nga Komuna, nëse përfituesi nuk është i regjistruar dhe i aprovuar në SIMFK përmes platformës e-Kosova.
Të dhënat e llogarisë bankare duhet të jenë të sakta dhe të përditësuara, pasi ekzekutimi i pagesës bazohet në përputhshmërinë e të dhënave të deklaruara gjatë regjistrimit.
Mosregjistrimi ose regjistrimi jo i saktë në SIMFK do të shkaktojë vonesa në realizimin e pagesave.
Qëllimi i këtij njoftimi është informimi me kohë i përfituesve dhe shmangia e pengesave apo vonesave në realizimin e pagesave përmes Thesarit të Republikës së Kosovës.
Komuna e Kaçanikut fton të gjithë përfituesit që këtë obligim ta përmbushin në kohë dhe me të dhëna të sakta, në mënyrë që procedurat e pagesave të zhvillohen pa pengesa.
Udhëzues/ më shumë informata: https://mfpt.rks-gov.net/Thesari/Page/41