“22 të rinj u masakruan, u vranë dhe më pas u hodhën në dy bunarë. Me dhimbje dhe me respekt kujtojmë ngjarjen më të rëndë që ka përjetuar fshati Kotlinë, ku njerëz të pafajshëm – burra, gra e fëmijë – u bënë viktima të një dhune të pamëshirshme nga okupatori serb. Sot ne kujtojmë jo vetëm dhimbjen, por edhe forcën dhe qëndresën e fshatit tonë.”
Kështu nisi manifestimi përkujtimor në fshatin Kotlinë, me rrëfimin emocionues të të resë Altina Loku për masakrën e këtij fshati më 24 mars të vitit 1999, ku u përkujtuan 14 dëshmorë dhe 15 martirë të rënë.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës, Sabedin Vishi, tha se kjo ditë ishte e kobshme jo vetëm për Kotlinën, por edhe për Kaçanikun dhe mbarë Kosovën. Ai theksoi se një rrethim i hekurt dhe një ofensivë e forcave paramilitare hasi në rezistencën e fuqishme të UÇK-së në këtë zonë, ku ranë dëshmorë e martirë që luftuan për lirinë e vendit.
Kryetari shtoi se kjo ngjarje është një histori e dhimbshme, por edhe krenare, duke theksuar se sot gjithashtu shënohet përvjetori i sulmeve të para ajrore të NATO-s mbi caqet serbe, ku gjenocidi serb u ndëshkua edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.
Në fund të fjalimit, kryetari Vishi tha se liria jonë mbetet ende e brishtë, pasi në Hagë padrejtësisht po gjykohen çlirimtarët, të cilët, sipas tij, së shpejti do t’i bashkohen Kosovës sonë. Ai theksoi se neve na mbetet detyrë që amanetin e dëshmorëve ta ruajmë me kujdes, duke punuar dhe forcuar institucionet dhe shtyllat e shtetit tonë.
Në emër të OVL-së së UÇK-së, dega në Kaçanik, foli veterani Jeton Kuqi, i cili ndër të tjera tha se sot jemi me zemër të rënduar, por edhe me krenari të madhe për të kujtuar dëshmorët dhe martirët, si dhe forcën dhe qëndresën e Kotlinës.
Ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve, të pranishmit i përshëndeti Hazbi Loku.
Në fund u shfaq edhe një program kulturo-artistik nga të rinjtë e këtij fshati.
Pranë lapidarit të ngritur dhe në vendin e rënies u vendosën kurora lulesh. Po ashtu, homazhe dhe kurora lulesh u vendosën edhe te Kompleksi Memorial i Dëshmorëve.
Në Kotlinë, gjatë luftimeve të 9 marsit 1999, ranë dy dëshmorë dhe u dogj një pjesë e shtëpive të fshatit. Ndërsa më 24 mars 1999, në mënyrën më çnjerëzore u vranë 26 banorë të këtij fshati – prej tyre 11 dëshmorë dhe 15 martirë. Më vonë, karvanit të dëshmorëve nga ky fshat iu shtua edhe një dëshmor tjetër, i cili ra në luftimet në kufirin shqiptaro-shqiptar, në Koshare.