Me rastin e 26 vjetorit të rënies së Komandantit të Brigadës 162 “Agim Bajrami” Qamil Ilazi- Komandant Bardhi dhe dëshmorëve Selim Shehu, Rizvan e Xhezair Bela, Sakip Mulaku e Ejup Dushkaja, Burhan Zeneli e Hesat Axhami si dhe martirët: Hajdin Bela, Zejnete Avdiu, janë organizuar manifestime përkujtimore në Gjurgjedell, Llanishtë, te vendi i quajtur “ Te vest” dhe manifestimi qendror në Kaçanik të Vjetër.
Familjarë, miq, bashkëluftëtarë e qytetarë të shumtë jane mbledhur sot në Manifestimin Përkujtimor të mbajtur në shkollën fillore “Qamil Ilazi” për të përkujtuar heroin e kombit- Komandant “Bardhi”, në 26 vjetorin e rënies heroike si dhe bashkëluftëtarin Selim Shehu. Në fjalën e tij Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut Sabedin Vishi tha se duke kujtuar dëshmorët ne nderojmë të kaluarën tonë historike, e cila është sa e dhimbshme por aq edhe krenare. Mes tjerash ai tha se familjet e dëshmorëve duhet të jenë krenarë për sakrificiën e më të dashurve të tyre, ku pa sakrificë nuk do të kishte luftë, e pa luftë nuk do të kishte dëshmorë e pa dëshmorë nuk do të kishim lirinë tonë. Në emër të Këshillit Organizues foli Fahri Vishi, ndërsa në emër të OVL së UÇK-së të pranishmëve iu drejtua veterani Jashar Selimi, kurse të pranishmit i përshëndeti edhe deputeti Ilmi Reqica.
Në fund të këtij manifestimi u shfaq një program artistik nga nxënësit e shkollës “Qamil Ilazi”
Pas manifestimit u vendosën kurora lulesh tek busti i heroit, e poashtu bënë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve dhe veteranëve te UÇK-së.