Në Komunën e Kaçanikut, pas mbajtjes së mbledhjes inauguruese të Kuvendit, u organizua ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së Kryetarit të Komunës. Kryetari Besim Ilazi ia dorëzoi detyrën kryetarit të ri, Sabedin Vishi, duke i uruar shëndet dhe suksese në rrugëtimin e tij të ri.
Ilazi shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë bashkëpunëtorët, stafin administrativ dhe çdo qytetar që ka bashkëpunuar me të gjatë më shumë se një dekade në krye të komunës. Ai gjithashtu uroi kryetarin e sapozgjedhur për suksese dhe një mandat që do të sjellë zhvillim të gjithanshëm dhe krenari për komunën.
Kryetari i ri, Sabedin Vishi, e falënderoi paraardhësin e tij, duke theksuar se qeverisja mbi një dekadë e udhëhequr me dinjitet nga Ilazi do të shërbejë si frymëzim për ekipin e ri që të vazhdojë punën me nder dhe përgjegjësi.
Kryetarin e ri e uruan dhe falënderuan edhe stafi i administratës komunale, duke i dëshiruar shëndet dhe suksese në detyrën e re.
Besim Ilazi u zgjodh kryetar i Komunës së Kaçanikut në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 17 qershorit 2012, pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm, dhe ka qeverisur katër mandate radhazi.