Komiteti për Politikë dhe Financa, ka mbajtur mbledhjen e tetë të rregullt për vitin 2021. Takimin e kryesoi, Kryesuesi i Kuvendit Kemajl Murseli, kurse prezantoi edhe Kryetari i Komunës Besim Ilazi.
Fillimisht, raportin e Auditimit për Pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Kaçanikut, për vitin 2020 dhe planin e veprimit për zbatimin e Rekomandimeve të dhëna në Raportin e Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit për PFV’2020; i prezantoi Bahri Selimi, drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim. Ai theksoi se ky raport është mirëpritur nga institucionet komunale, ku nga viti në vit ka rënie të të gjeturave.
“Sipas opinionit të ZKA-së, Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Kaçanikut prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik, sipas kontabilitetit të bazuar në para të gatshme. Po ashtu sipas konkluzionit të tyre, transaksionet e kryera në procesin e ekzekutimit të buxhetit të Komunës së Kaçanikut kanë qenë në të gjitha aspektet materiale, në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm për subjektin e audituar në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare” tha mes tjerash drejtori Selimi.
Ndërkohë, anëtarët e KPF-së Ekrem Kyçyky (VV) dhe Selim Reka (LDK), kërkuan disa saqrime rreth raportit, dnërsa për planin e zbatimit të rekomandimeve, kërkuan që të zbatohet dhe të ulet numri i të gjeturave.
Në KPF u diskutuan dhe iu përcollën kuvendit për miratim edhe pikat e tjera të rendit të ditës:
Propozim Vendimi për rialokim të mjeteve sipas buxhetit të vitit 2021 dhe Raport (Informatë) i punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) për periudhën: Janar-Qershor 2021, ndërsa në mungesë të dokumentacionit u shty për mbledhjen e radhës pika: 5. Propozim Vendimi për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore të Parcelës Kadastrale Nr. 00183-3, Zona Kadastrale Soponicë, në sipërfaqe, 3591m2, bujqësore Livadhet-livadh i klasës së 5, në emër të Muhamet Malsiu.