Me iniciativë dhe ftesë të Kryetarit të Komunës së Kaçanikut Sabedin Vishi, sot u organizua një takim mes dy institucioneve- Komunës së Kaçanikut, dhe KRU “ Bifurkacioni”, ku qëllimi i takimit ishte diskutimi i hapave konkret për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes, veçanërisht gjatë muajve të pikut të verës, nevojat për investime urgjente për rritjen e kapaciteteve, si dhe plani i investimeve afatshkurtër (6-mujor) dhe vjetor.
Kryetari i Komunës Sabedin Vishi,theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndër institucional, me të vetmin qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes për qytetarët tanë. Kryetari tutje shtoi se ndonëse menaxhimi i sistemit të ujit të pijes ka kaluar tashmë disa vite nga komuna në Kompaninë “ Bifurkacioni”, megjithatë, institucionet komunale do të vazhdojnë ta kenë prioritet këtë fushë, duke investuar në rrjetin e sistemit të ujit të pijes kudo që paraqitet nevoja në bazë të kushteve dhe mundësive buxhetore komunale.
Ndërkohë, Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Bifurkacioni” Jeton Shabani falenderoi kryetarin për ftesën, duke njoftuar se do të vendosen ujëmatës zonalë për kontrollimin e humbjeve në rrjet, si dhe do të aktivizohet pusi pranë fabrikës së ish-Gëlqeres, për çka u kërkua që ky projekt të realizohet në bashkëfinancim me Komunën.
Në takim prezantoi edhe drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjenca Arian Teneqja, i cili theksoi se do të filloj ndertimi i rezervuarit në Dushkajë për furnizim me ujë të kësaj pjese të qytetit, si dhe do të formohet një komision i përbashkët për analizën e gjendjes së rrjetit dhe hulumtimin e mundësive për shtimin e kapaciteteve furnizuese, ndërsa së shpejti pritet që ky komision të filloj punën.