Institucionet publike, shkollat, shtëpitë e shëndetit, objekti i zjarrfikësve si dhe të gjitha objektet e tjera publike tashmë do të bëhen me puse të ujit. Kjo u bë e mundur falë marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar nga Komuna e Kaçanikut me Organizatën Humanitare LDS të përfaqësuar nga David & Kristy Skidmore.
Hapja e parë e pusit u bë në Shkollën Fillore “ Qamil Ilazi” në Kaçanik të Vjetër për të vazhduar më pas në të gjitha shkollat dhe objektet e tjera publike.
Projekti në tërësi kap vlerën mbi 75 mijë euro, mjetë të bashkë financuara nga Komuna e Kaçanikut dhe organizata LDS.
Kryetari i Komunës Besim Ilazi tha se projekti në fjalë ka rëndësinë e vet, sepse secili institucion publik tashmë nuk do ta ketë problemin e ujit, sidomos gjatë kohës së verës, ku nga mungesa e ujit mund të rritet edhe rreziku në fusha të ndryshme.
Kryetari Ilazi poashtu falenderoi edhe Organizatën Humanitare LDS, e cila tashmë është bërë mike e investimeve në Komunën e Kaçanikut, ku kohë më parë në bashkëfinancim me Komunën e Kaçanikut investoi në renovimin e tërësishëm të objektit të HANDIKOS-it në Kaçanik, si dhe ndau 100 serra për fermerët kaçanikas.