Kuvendi i Komunës së Kaçanikut ka mbajtur sot seancën inauguruese, ku dhanë betimin për mandatin katër vjeçar Kryetari Besim Ilazi dhe 27 asambleistët e rinj komunal. Në këtë seancë, morën pjesë mysafir, e qytetarë të shumtë.
Pas dhënies së betimit, Kryetari i Komunës Besim Ilazi, falendeori qytetarët e Komunës së Kaçanikut për mbështetjen e dhënë, që të fitoj mandatin e IV- ër si kryetar Komune, ndërsa uroi asambleistët e rinj.
“Më lejoni që fillimisht të uroj të gjithë asambleistët për mandatin e fituar, ndërsa dua të falënderoj qytetarët e Komunës së Kaçanikut për besimin e dhënë, për vazhdimin e qeverisjes lokale.
Kjo për mua është një ditë e veçantë dhe mjaft e rëndësishme, po filloj mandatin e 4-të si Kryetar i Komunës së Kaçanikut.
Ju falenderoj juve qytetarë të nderuar, ju jam mirënjohës për besimin e dhënë. Më keni bërë krenar për vlerësimin tuaj, por në të njejtën kohë, më obligoni që të punojmë sa më shumë dhe me përgjegjësi për të zhvilluar komunën tonë.
Sot dua të falenderoj të gjithë qytetarët e komunës sonë, edhe ata që kanë mbështetur oponentët e tjerë politik, për kulturën demokratike të treguar, gjë që tregojnë një vlerë të demokracisë në vendin tonë. Në të njejtën kohë, dua të falenderoj edhe pjesëmarrësit e tjerë politik në zgjedhje, për qasjen e tyre korrekte dhe për ofrimin e alternativave qeverisëse në programin e tyre qeverisës, tha gjatë fjalës së tij Kryetari Ilazi. Tutje ai foli edhe për parimet e qeverisjes mirë, sipas tij duke u mbështetur ne transparencë, llogaridhënie si dhe në vendimmarrje të përbashkët me qytetarët. I pari i komunës poashtu bëri me dije se do të bashkëpunoj me secilin, pa dallime partiake apo të tjera, sepse qëllimin e kemi të përbashkët – Ndërtimin e një qeverisje për një jetë më të mirë për qytetarët tanë, ndërsa një përkujdesje të veçantë do të vazhdoj ta ketë ndaj familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, veteranëve dhe rasteve sociale.
Pas përfundimit të seancës inauguruese, u bënë homazhe në Kompleksin Memorial të Varrezat e dëshmorëve në Kaçanik.