Kryetari i Komunës Besim Ilazi dhe drejtori i Shërbimeve Publike Ramadush Osmani, përcollën nga afër punimet në vendosjen e shtresës së dytë të asfaltit në rrugën “ Idriz Seferi”. Kryetari Ilazi tha se në kuadër të shërbimeve publike, po realizohen dhjetëra projekte në terren, që për qëllim kanë rritjen e mirëqenies qytetare. E në këtë drejtim është duke u bërë edhe vendosja e shtresës së dytë të asfaltit që ka për qëllim rritjen e kualitetit të kësaj rruge mjaft të frekuentuar.
Drejtori Ramadush Osmani, tha se vendosja e shtresës së dytë të asfaltit u realizua në bazë të marrëveshjes mes Komunës së Kaçanikut dhe kompanisë italiane G.C.F., kompani përgjegjëse për projektin Rehabilitimi i linjës hekurudhore Kaçanik- Hani i Elezit, ku kjo rrugë u mundësua që të përdoret si rrugë alternative gjatë punimeve te tuneli afër vendit të quajtur “ Guri i Shpum” në Kaçanik. Shtresa e re e asfaltit do të vendoset në gjatësi të rrugës 1347 metra dhe gjerësi 5 metra, ndërsa më pas Komuna e Kaçanikut do të vazhdoj me vendosjen e sinjalizimit vertikal dhe horizontal dhe finalizimin e pozicioneve të tjera të kontratës.
