Komuna e Kaçanikut përmes drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjnca, ka mbajtur sot konsultimin publik për dokumentin për Vlerësimin Strategjik Mjedisor (VSM) për Planin Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave, për regjionin e Gjilanit dhe Ferizajit. Drejtori Ramadush Osmani tha se ky dokument është në konsultim publik nga data 02.06.2025, deri më 01.07.2025, dhe është hartuar nga kompani konsulente dhe ekspert të fushës tëangazhuar nga GIZ-i.
Sipas tij Plani Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave krijon bazën për zbatimin e Sistemit Regional, ne pajtueshmeri me parimet themelore për menaxhimin e mbeturinave të përcaktuar në Direktivat e BE-së dhe në Ligjin për Mbeturina në lidhje me sektorin e menaxhimit të mbeturinave. Këto parime përfshijnë menaxhimin e mbeturinave pa rrezikuar shëndetin e njeriut dhe pa dëmtuar mjedisin, pa rrezik për ujin, ajrin, tokën, bimët dhe kafshët, pa shkaktuar shqetësime nga zhurma ose aromat dhe pa ndikuar negativisht në zonat apo vendet me interes të veçantë. Themeli i Sistemit Regjional do të jetë hierarkia e mbeturinave me pesë hapa, duke përfshirë parandalimin e mbeturinave si opsionin e parë, përgatitjen për ripërdorimin e mbeturinave që nuk mund të parandalohen, riciklimin dhe rikuperimin e fraksioneve të mbeturinave të ndara, në mënyrë që dërgimi i mbeturinave në deponi të jetë zgjidhja e fundit. Do të krijohet baza për zhvillimin e ekonomisë qarkore si model prodhimi dhe konsumi që përfshin ndarjen, dhënien me qira, ripërdorimin, riparimin, rinovimin dhe riciklimin e produkteve dhe materialeve për aq kohë sa të jetë e mundur në mënyrë që cikli jetësor i produkteve të zgjerohet dhe të krijohet vlera e mëtejshme, ndërsa prodhimi i mbeturinave të reduktohet në minimum. Parimi ndotësi paguan do të zbatohet për mbulimin e kostos së sistemit të menaxhimit të mbeturinave, në mënyrë që kostoja për menaxhimin e mbeturinave të përballohen nga prodhuesit e mbeturinave ose nga mbajtësit e mbeturinave.
Pjesëmarrësit në debat kryesisht u intersuan se a eshte përfshirë në VSM-në e këtij Plani edhe lokacioni komunal për trajtimin e Mbeturinave dhe ndikimi në mjedis i objekteve që parashihen të ndërtohen për ndarjen e Mbeturinave.
Ditëve në vijim do të publikohet edhe procesverbali dhe raporti nga ky konsultim publik.