Me një minutë heshtje në nderim të policit të vrarë Rreshterit Muhamed Lika, filloi punimet Kuvendi Komunal në Kaçanik në mbledhjen e katërt. Takimin e Kryesoi Kryesuesi i Kuvendit Komunal Kemajl Murseli, ndërsa prezantoi edhe Kryetari i Komunës Besim Ilazi, Nënkryetari Sabedin Vishi si dhe drejtor nga ekzekutivi komunal.
Anëtarët e Kuvendit së bashku me Kryesuesin Murseli, shprehën ngushëllimet e tyre më të sinqerta me rastin e ndarjes nga jeta të pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga komuna jonë, duke kërkuar sa më shpejtë zbardhje të rastit. Në këtë mbledhje u kërkua që Kaçaniku të mos etiketohet padrejtësisht, sepse vazhdon të mbetet një vend i qëndresës, solidaritetit dhe bashkëjetesës. Në pikën e rendit të ditës për gjendjen e sigurisë, u kërkua përmbajtje nga diskutimet dhe debatet publike, përderisa ngjarja si e tillë ende nuk e ka një epilog përfundimtarë.
Anëtarët e Kuvendit poashtu miratuan edhe pikat e tjera të rendit të ditës:
Projekt-Rregullore Nr. XX për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Komunën e Kaçanikut;
Draft-Rregullorja për taksa, tarifa dhe ngarkesa komunale;
Propozim-Vendim Për Emërtimin dhe Riemërtimin e Rrugëve Lokale, pas Shqyrtimit të Ankesave, Kërkesave dhe Propozimeve nga Qytetarët e Komunës së Kaçanikut; ndërsa u njoftuan me Raportin periodik për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportin e Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit si dhe Raportin Tre Mujor Financiar për Periudhën Janar – Mars 2025.