Edhe në Komunën e Kaçanikut është shënuar 21 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Sindromës Down, me aktivitete të ndryshme argëtuese dhe vetëdijësuese. Ky aktivitet kishte për qellim sensibilizimin e shoqërisë dhe si një thirrje e fuqishme për barazi, përfshirje dhe mbështetje për të gjithë ata që kanë Sindromën Down.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, Nënkryetari Sabedin Vishi dhe stafi përcjellës. Kryetari Ilazi e vlerësoi aktivitetin në fjalë, duke shtuar se le të mbetet kjo ditë si një ndërgjegjësim, por edhe për të vepruar në krijimin e kushteve dhe trajtimin më të dinjitetshëm në shoqërinë tonë.
Elmihane Krasniqi- Drejtoreshë në Organizatën Handikos në Kaçanik, mes tjerash tha se personat me Sindromën Down, kanë ëndrra, synime dhe potencial të jashtëzakonshëm, ashtu si të gjithë ne. Ata nuk kërkojnë mëshirë, por mundësi të barabarta për punësim dhe një jetë të pavarur e dinjitoze.
Sot në rrugët e qytetit tonë, fëmijët tanë të veshur me uniformat e Policisë së Kosovës, kanë marrë një detyrë të veçantë. Së bashku me Policinë e Kosovës, ata kanë dalë në komunikacion dhe po ndalin automjetet. Jo për të ndëshkuar, por për të dhënë një mesazh të fuqishëm , një mesazh dashurie, ndërgjegjësimi dhe respekti për njëri tjetrin.
Një falënderim i veçantë për Dr, Astrit Sokoli( MiciDent), Shkollën Fillore “Emin Duraku”, Policinë e Kosovës dhe të gjithë ju që kontribuat për ta bërë këtë aktivitet kaq të bukur dhe kuptimplotë. Së bashku, ndërtojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë për të gjithë!