Kuvendi i Komunës së Kaçanikut ka mbajtur mbledhjen e XII-të të rregullt dhe të fundit për vitin 2019. Mbledhjen e kryesoi Kryesuesi i Kuvendit Komunal Kemajl Murseli , ndërsa ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, të cilët fillimisht përshëndetën anëtarët e kuvendit dhe të pranishmit e tjerë, duke i uruar për festat e fundvitit.
Anëtarët e kuvendit fillimisht u informuan me Raportin Nëntë Mujor Financiar, për periudhën: Janar – Shtator 2019, të cilin e prezantoi drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Bahri Selimi, duke shtuar se ekzekutimi i buxhetit komunal për periudhën nëntë mujore nga granti qeveritarë është shpenzuar 64.97 %, ndërsa nga mjete të të hyrave vetanake për vitin 2019 dhe nga të hyrat vetananke të bartura nga viti 2018, është 40%, ndërsa ceku ngritjen e të hyrave nga tatimi në pronë që është arritur falë punës dhe përkushtimit të zyrtarëve dhe ekzekutivit komunal.
Ndërkohë Nexhat Loku ( PDK) përgëzoi drejtorinë dhe ekzekutivin e komunës për punën, ndërsa tha se në mënyrë të qartë janë paraqitur të gjitha shpenzimet komunale. Ekrem Kyçyku (VV) tha se raporti financiarë është një raport me rëndësi, ndërsa shprehu shqetësimin e tij në lidhje me shpenzimin e ulët sidomos të grantit qeveritarë, kurse Selim Reka ( LDK), tha se ky raport është i punuar mirë i paraqitur me detaje, ndërsa u shpreh i kënaqur me rritjen e të hyrave nga tatimi në pronë, që sipas tij qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen për kryerjen e obligimeve të tyre tatimore. Ekrem Raka ( Iniciativa Qytetare) kërkoi më shumë sqarime rreth të hyrave nga tatimi në tokë, si dhe Besim Vishi ( PDK) kërkoi më shumë detaje rreth rritjes së të hyrave indirekte siç janë gjobat.
Anëtarët e kuvendit poashtu miratuan edhe pikat e tjera të rendit të ditës:
- Plani i Punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2020;
- Plani i Punës së Komitetit për Komunitete për vitin 2020;
- Plani Vjetor i Punës së Komitetit Konsultativ për Persona me Aftësi të Kufizuara në Komunën e Kaçanikut për vitin 2020;
- Plani i Veprimit për Transparencë 2020-2023;
- Propozim Vendimi për Ndryshimin e Statusit aktual të KRU “ Bifurkacioni” nga Ndërmarrja publike lokale në Ndërmarrje publike qendrore;
- Propozim Vendimi për ndarjen e masës drusore të konfiskuar, shkollave të komunës; dhe
- Propozim Vendimi për përmirësimin e gabimit teknik të Vendimit të KK 01Nr. 941/01-34155/2019 të datës 31.10.2019 për këmbimin e pronës komunale me pronën private në emër të Razim Palloshi nga f. Biçec.
Anëtarët e kuvendit gjithashtu uruan qytetarët me rastin e festave të fundvitit.