Edhe muaji korrik do të jetë i mbushur me aktivitete , punë e projekte kapitale. Kjo u bë e ditur në mbledhjen e fillimjavës udhëhequr nga Kryetari Besim Ilazi dhe nënkryetari Ylber Bajra, ku u tha se edhe gjatë kësaj sezone verore, janë të planifikuara shumë aktivitete e rregullim i projekteve kapitale që për qëllim kryesor kanë krijimin e kushteve të mira për të gjithë qytetarët pa dallime.
Drejtoria e Shërbimeve Publike bëri të ditur se rrugët dhe lagjet e komunës sonë janë shndërruar në vendpunishte, në rregullim dhe përmirësim të infrastrukturës rrugore. Me fillimin e këtij muaji kanë filluar punimet në disa projekte, ndërsa janë duke vazhduar punimet në projektet e filluara. Punimet kanë filluar në projektin “Ndërtimi rrugëve në fshatin Ivajë”-rregullimi i dëmtimeve në rrugën kryesore, ndërsa janë finalizuar punimet në fshatin Glloboçicë, ndërtimi i kanalizimit në lagjen Kodrali. Punimet janë duke vazhduar në projektet kapitale “Rregullim i rrugëve në fshatin Gajre”-përgatitja e traseve me shtresë finale zhavori, “Ndërtimi i urës në fshatin Kovaqec”-projekt me financim nga MI-ja, janë punuar bazamentet e shtyllave të urës, vazhdimi i punimeve sipas projektit “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës “Agim Bajrami”- punimi i infrastrukturës nëntokësore, ndërsa janë në finalizim punimet në projektin “Ndërtim i rrugëve në fshatin Biqec”- shtrimi i trasesë së rrugës alternative nga nënkalimi i autostradës deri në hyrje të fshatit, me shtresë zhavori. Punimet dhe aktivitetet e tjera komunale janë duke vazhduar edhe në sektorë të tjerë dhe do të vazhdojnë edhe gjatë muajit korrik, si renovimi dhe fillimi i ndërtimit të shkollave të reja në Kaçanik, investime në infrastrukturën shëndetësore, bujqësi etj.