Kryetari i komunës, z. Zharku kërkoi që të merren masa, heqja e mëditjes, për mos vijueshmëri në punë ndaj të gjithë shërbyesve civil të cilët marrin paga nga Buxheti i Kosovës
Ekzekutivi i komunës, në takimin e sotëm të cilin e ka udhëhequr kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku, prezantoi dhe shqyrtoi një mori çështje të funksionimit të administratës komunale.Në fillim të takimit, drejtorët e drejtorive kanë prezantuar planin javor të punës për periudhën 26 prill deri më 30 prill ndërkohë që kanë raportuar edhe aktivitete të cilat janë kryer gjatë javës së kaluar.
Kryetari i komunës, z. Xhabir Zharku, njoftoi se gjatë javës së kaluar kishte amnistuar 29 nxënës të cilët kishin plotësuar kriteret për masa ndëshkimore, përkatësisht përjashtim nga shkolla. Kryetari, z. Zharku tha se lidhur me këtë kishte prezantuar në një takim të organizuar të premten e kaluar në Gjimnazin “Skënderbeu”.
Kryetari i komunës duke folur për disiplinën në punë, kërkoi që të merren masa ndaj të gjithë shërbyesve civil të cilët marrin paga nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, për mos vijim të rregullt dhe të njëjtëve të iu hiqet mëditja., ndërkaq ka kërkuar nga Udhëheqësi i Personelit që të bëjë Raport mujor për mungesat e punëtorëve.
Kryetari, ka përsërit kërkesën drejtuar drejtorëve që brenda javës të përgatitin të gjitha materialet që kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës fizike për zonën industriale te Fusha e Mulës.
Shefi i Prokurimit, z. Zeqi Selmani ka njoftuar për projektet të cilat janë në fazën e tenderimit. Në këtë fazë janë projektet: Renovimi i disa shkollave në komunën e Kaçanikut, Asfaltimi i rrugës në fshatin Elezaj, Rregullimi i rrymës së tensionit të lartë në rrugën “Ismajl Raka”, Ndërtimi i ujësjellësit në fshatin Gllobiçicë dhe Ndërtimi i kanalizimit në lagjen Imishtë.
Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Rushan Ceka njoftoi se në objektin e administratës dhe në atë të zjarrfikësve është bërë vendosja e dritave ofiqente (ekonomike) ndërkohë që ndërrimin e dritave fluroscente në ato ofiqentë pritet të bëhet edhe në ndriçimin e qytetit.
Misim Sopa, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka thanë se nga skema e ndihmës sociale prej janarit e gjer më tani janë hequr 18 raste, prej tyre 13 vetëm gjatë muajit prill ndërsa janë miratuar 21 kërkesa të reja, vetëm gjatë prillit.
Drejtori i Arsimit dhe Kulturës, z. Azem Guri ka përmendur disa nga aktivitet që janë zhvilluar javën e kaluar ndërsa për këtë javë ka veçuar vizitën në dy shkolla të komunës pastaj organizimin dhe mbajtjen e ligjëratave në dy shkollat e mesme për parandalimin e dukurive negative ndërkaq ka thënë se kanë filluar aktivitetet për shënimin e 9 majit – Dita e Europës.
Nuhi Provoliu, drejtori i Bujqësisë tha se gjatë javës së kaluar kanë bërë inspektim në teren për fermerët të cilët merren me kafshë të imta e të cilat raste i subvencionon Ministria e Bujqësisë.
Bekim Troni, drejtor i Urbanizmit, njoftoi për një vizitë në rrugën e Kotlinës. Drejtori njoftoi edhe për numrin e madh të kërkesave për leje ndërtimore, ndërsa aktivitet me prioritet për këtë javë tha se është PZHK dhe PZHU si dhe në bashkëpunim me drejtorinë e shërbimeve publike do të jetë heqja e deponive ilegale.
Fikri Vërbani, drejtor i Ekonomisë njoftoi se që nga sot ka filluar auditimi zyrtar për vitin 2009 në komunën tonë. Drejtori njoftoi edhe për Raportin e tremujorit të parë të këtij viti rreth progresit të arritur rreth investimeve kapitale i cili i është përcjell Ministrisë si dhe Raporti mbi realizimin e mjeteve buxhetore për periudhën Janar – Mars 2010, i cili Raport do të shqyrtohet po ashtu në takimin e radhës në organet e KK.